39 qytetarë të Kosovës, mes tyre fëmijë, të moshuar, gra e burra janë vendosur në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë. Mirëpo aty po ankohen për kushte të tmerrshme dhe papastërti të madhe.
Më i zëshmi ka qenë këngëtari Robert Berisha i cili vazhdimisht ka publikuar pamje nga ky konvikt dhe gjendjen që mbretëron aty, shkruan Reporteri.net.
Berisha në një lidhje direkte për T7 ka thënë së ambienti nuk është aspak i favorshëm për qëndrim, dhe për më tepër mund të paraqesë rrezik për personat që ndodhen aty.
Berisha, për më tepër ka thënë se aty ndodhen gjësendet e studentëve që deri javën e kaluar kishin qëndruar aty.
Sipas tij qytetarëve të vendosur atë u është thënë të mos hapin dollapet e mbyllur pasi aty ndodhen gjësendet e studentëve që janë larguar për në shtëpi.
Ai ka thënë se brenda konviktit kanë qarkulluar informacione se një person aty është i infektuar me koronavirus, për çka ai ka thënë se mund të paraqesë rrezik për të tjerët. Berisha po ashtu ka thënë se në mesin e tyre ka edhe persona të sëmurë, pleq dhe për më tepër një baba që është mbyllur dhe nuk është lejuar të shkojë në varrimin e të birit.
“Jom qe dy javë rrugëve, deri tash mu kishin paraqite simptomat. Jam i përgatitur. Nuk po dua të them se jam i infektuar, por nuk janë kushtet për 39 persona që kemi ardhë këtu. Njani, një plak menxi e larguan se ishte i sëmurë prej zemre, një vajzë ka kundërshtuar të futet në konvikt e kanë ngre zhag policia. Çika është e operume në dy tre vende. Njani ka ardhë me varrosë fëminë 9 vjeçar. Nuk ia mundësunë me shku në varrim. Ata që na sjellin rroba e ushqim edhe ata mujnë me u infektu”, ka thënë ndër të tjera Berisha.
Ndryshe Berisha me të tjerët po qëndron në konviktin numër 8, që konsiderohet të jetë një prej konvikteve më të mira. /Reporteri.net