Organizata “Reporterët pa Kufij” kanë publikuar raportin për indeksin e lirisë së shtypit, ku Kosova ka shënuar rënie drastike, duke u renditur e 99’ta nga 180 shtete.
E pikërisht sot, derisa gazetarët kanë tentuar të marrin një qëndrim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për këtë raport, mbrojtja e afërt e tij e ka penguar gazetarin e T7, Genc Godancin, derisa ai i është afruar për t’i bërë pyetje. Një pjesëtar i mbrojtjes së afërt të Kurtit ia ka kapur dy herë dorën fizikisht gazetarit, shkruan Reporteri.net.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar fuqishëm pengimin e gazetarit.
“Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti. AGK-ja e fton Policinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë që të krijojnë kushte normale pune për gazetarët, kur ata kërkojnë përgjigje në ambient publik nga zyrtarët e lartë”, thuhet në reagimin e AGK’së, ku janë bashkangjitur edhe pamjet nga momenti kur pengohet gazetari.
Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut”. Kritikohet edhe miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur.
‘Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.
Kryetari i AGK’së, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si rangim shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende.
Rexha tha se AGK e sheh këtë si relfketim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rexha në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.
Kurti i ik pyetjes për lirinë e medias, truproja e tij me forcë ia largon mikrofonin gazetarit
Ai tha se klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM’në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.
Edhe në raport përmendet ky ligj, fushatat e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërhyrja apo mungesa e pavarësisë së RTK’së, siguria e gazetarëve, rritja e padive SLAPP e të tjera.
Rexha propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.
Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian./Reporteri.net
Rënia drastike e Kosovës në indeksin për lirinë e shtypit, krejt gishtin kah Kurti dhe VV’ja