×
  • Lajme
  • Lajme / Krimet e luftës

    Në Holandë mbahet takimi rajonal për personat e zhdukur, pjesëmarrëse edhe Kosova

    Reporteri
    14 Shtator 2024 | 21:56

    Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Holandë, në një bashkëorganizim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është mbajtur takimi i Grupit Rajonal për Personat e Zhdukur.

    Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ky grup funksionon sipas Planit Kornizë Rajonal në zbatim të Deklaratës për Personat e Zhdukur nga Samiti i Londrës i vitit 2018, në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Bëhet e ditur se krahas diskutimeve dhe përgatitjeve për takimin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, sipas kërkesës paraprake të kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, pjesëmarrësit kanë prezantuar edhe angazhimin rajonal në përmbushje t objektivave të Planit Kornizë, me theks, adresimin dhe punën në terren.

    Drejtoresha e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Kathryne Bomberger, theksoi se puna e Grupit Rajonal është thelbësore për të siguruar përgjigje për ata që janë ende të zhdukur.

    “Kjo çështje ka të bëjë me sigurimin e drejtësisë për familjet e të zhdukurve – njohjen e vuajtjeve që kanë kaluar, sigurimin e llogaridhënies dhe rivendosjen e dinjitetit për viktimat, dhe se zgjidhja e këtyre rasteve nuk është vetëm një proces teknik, por është detyrim moral dhe ligjor”, tha Bomberger.

    Ndërsa, udhëheqësi i njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se Kosova mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur, që sipas tij, është plagë e hapur e shoqërisë kosovare.

    “Shteti ynë, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e kësaj çështje, plage të hapur e shoqërisë sonë dhe tema më prioritare e të gjitha agjendave. Që nga koha kur jemi bashkuar kësaj nisme, të konkretizuar me marrëveshjet në vitin 2018, ne kemi mbështetur e vazhdojmë të mbështesim iniciativat e tilla me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, por gjithnjë me kërkesat tona konsistente qe ky bashkëpunim te rezultoi me i efektshëm dhe te sjellë përgjigje për familjarët që vazhdojnë te jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

    Tutje, Gara tha se Kosova ka nevojë ta di të vërtetën edhe për 1 mijë e 595 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!