Komisioni Qeveritar për Personat e zhdukur po kërkon që sa më shpejtë të nisë gërmimi në disa lokacione të Serbisë, ku dyshohet se ka varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1998-99.
Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, tha se kjo kërkesë është në koordinim dhe me ndërkombëtarët.
“Është kërkesë e jona e vazhdueshme edhe përmes delegacionit por, edhe në kuadër të personave të zhdukur që sa më parë të fillojnë gërmimet edhe në një sërë lokacionesh të shënjuara në territorin e Serbisë, në lokacionin në regjionin e Rashkës dhe regjionin e Novi Pazarit. Është shumë e rëndësishme që sa më parë të kemi datat për lokacionet e shënjuara në territor të Serbisë dhe jemi në koordinim me partnerë ndërkombëtarë, meqë përvoja e deritanishme me hapjen e katër lokacioneve që vetëm një preson më i madh i bashkësisë ndërkombëtare mund të krijojë mundësinë që ne ti adresojmë këtë çështje më tutje”, tha Gara për Ekonomiaonline.
Ai ka shtuar se janë duke punuar që të ketë gërmime edhe në disa lokacione brenda Kosovës, duke shtuar se gjatë këtë viti në dy lokacione ku është bërë gërmimi janë gjetur trupa të shqiptareve të vrarë nga forcat serbe.
“Ka një sërë lokacionesh brenda Republikës së Kosovës në të cilat ne jemi të fokusuar ti adresojmë më tutje në kuptimin e gërmimit vlerësues gjatë këtyre ditëve, me theks të veçantë do të jetë lokacioni në varrezat e besimtarëve mysliman në Mitrovicën veriore meqë është punuar në vazhdimësi në këtë lokacion”, tha ai.
Në Kosovë llogariten të jenë të zhdukur edhe 1640 persona. Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parë si mundësi që kjo çështje të adresohet.