Për rreth 30 minuta është ndërprerë oksigjenimi kryesor në Mjekësinë Sportive ku të hospitalizuar janë 15 pacientë me COVID-19.
Siç raporton koha, një gjë e tillë ka ndodhur dje rreth orës 17:00.
Furnizimi me oksigjen është stabilizuar, pasi mjekët më pas kanë telefonuar përgjegjësin e mirëmbajtjes së furnizimit.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, por zyra për media e saj nuk ka dhënë detaje.
“Shërbimi Spitaloir Klinik Universitar i Kosovës njofton zyrtarisht për çdo gjë së shpejti. Priteni njoftimin zyrtar”, është përgjigja që ka dhënë zyra për media e MSH-së për Reporteri.net.
Rënia e oksigjenit është dyshimi kryesor për vdekjen e katër pacientëve të dielën në Klinikën Infektive në QKUK. Për këtë rast Policia e Kosovës ka nisur hetimet.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka deklaruar se duhet të pritet raporti i prokurorisë për të zbardhur dyshimet nëse ka pasur problem apo jo me sistemin e oksigjenit, ndërsa ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu i cili u shkarkua të hënën ka mohuar të ketë pasur probleme dhe rënie të oksigjenit të dielën.
Ai ka thënë se kishte kërkuar raport nga menaxherët dhe përgjegjësit e shërbimeve teknike dhe sipas tij nuk ishin raportuar probleme të tilla. /Reporteri.net/.