Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e kishte paralajmëruar qeverinë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti se do t’i sjell qytetarët e Kosovës në terr energjetik dhe do t’ua shtrenjtojë çmimin e faturave dhe sërish nuk do ta zgjidhë problemin me energji elektrike.
Kreu i PDK-së gjatë një seance parlamentare kishte theksuar se bllokimi i investimeve amerikane në energji dhe bllokimi i gazit amerikan nga qeveria aktuale do të sjell pasoja për qytetarët e Kosovës, të cilat po vërehen më së shumti këtë dimër ku nga njëra anë qytetarët po ankohen se paguajnë fatura më të shtrenjta të rrymës dhe nga ana tjetër po përballen me reduktime të ashpra të energjisë.
Në temperatura të ftohta, shumë pjesë të Kosovës ditëve të fundit po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Qyteti i Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, janë zonat më të afektuara nga ndërprerja e energjisë elektrike.
Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.
Mungesa e energjisë ka nxitur reagime të shumta të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Problemet me furnizim me energji elektrike, pritet të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.
Problemet me rrymë pritet të vazhdojnë edhe javën tjetër