×
  • Lajme
  • Lajme / Rasti në RMV

    Në një mostër u gjet bakteri koliform, AUV dhe IKSHPK deklarohen pas ngritjes së dyshimeve për sigurinë e ujit “Rugove”

    Autor:Arjeta Shabani
    06 Mars 2025 | 14:27

    Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ngritur dyshime për sigurinë e ujit “Rugove”, pasi në një mostër të këtij uji është zbuluar prania e bakterit koliform. Ky shtet tashmë ka nisur inspektim për të gjitha dërgesat e këtij uji nga Kosova. Pas dyshimeve të ngritura në shtetin fqinj, edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë është vënë në lëvizje. Sipas tyre menjëherë ka nisur gjurmimi i dërgesave. Por, për dallim nga autoritetet maqedonase, AUV i Kosovës bazuar në rezultatet e IKSHPK’së thonë se në në mostrat e kontrolluara të këtij uji s’ka baktere dhe se është i sigurt për pije.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka thënë se nuk ka vend për shqetësim lidhur me ujin e pijes “Rugove”, pasi në një mostër të të cilit autoritetet e Maqedonisë së Veriut thanë se kanë zbuluar prani të një bakteri. Bëhet fjalë për bakterin koliform, që është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë dhe njerëzve.

    Bakteri koliform nuk mund të shkaktojë sëmundje, mirëpo prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat që shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit.

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se ky ujë i plotëson kriteret ligjore dhe se është i sigurt për konsum.

    “Nga të gjeturat pas gjurmimit të plotë,  fakteve të mbledhura dhe paraqitura me lartë, nuk ka vend për shqetësim. Uji i ambalazhuar ‘’Rugove’’ i plotëson kriteret ligjore dhe është i sigurtë për konsum”, ka deklaruar Thaçi.

    Pas dyshimeve të ngritura në shtetin fqinj, Thaçi thotë se kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha të dhënave për Korporatën “Rugove”. Sipas tij, në muajin e fundit janë eksportuar 27 ngarkesa që janë certifikuar në bazë të rezultatit të analizave laboratorike, të cilat janë kryer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovës.

    Ai thotë se AUV i posedon këto rezultate, sipas të cilave ky ujë është pa prezencë të baktereve.

    “Ne këto rezultate te analizave është i përfshirë edhe parametri lidhur me “prezencën e bakterit koliform”, ku në secilin rezultat është konfirmuar se nuk është gjetur ky bakter në produktin uji i ambalazhuar i kompanisë  “Rugove”.  Raportet e Analizave i posedon AUV, rezultatet janë negative ( pa prezencë të baktereve).”, thuhet në përgjigjen e Thaçit.

    Thaçi shton se për këto dyshime nuk kanë pranuar asnjë informatë zyrtare nga Maqedonia e Veriut dhe se nuk ka pasur asnjë ngarkesë me ujë të refuzuar apo kthyer nga ndonjë shtet.

    Ai ka bërë të ditur se drejt Maqedonisë së Veriut kjo kompani kishte eksportuar 12 ngarkesa dhe se eksporti drejt këtij shteti po vazhdon edhe sot. Ngarkesat tjera thotë se janë eksportuar drejt Shqipërisë dhe Francës.

    “Fillimisht si autoritet nuk kemi pranuar asnjë informatë zyrtare nga Autoriteti i Maqedonisë se Veriut, për dyshime rreth sigurisë së ndonjë ngarkese me produkt Ujë për pije. Nga të dhënat e kontrollit kufitar nuk është gjetur se ka pasur ndonjë ngarkesë me ujë të refuzuar apo kthyer nga ndonjë shtet tjetër në ketë periudhë kohore”, ka shtuar Thaçi.

    Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur për rezultatet e mostrave edhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ergyl Binçe nga IKSHP ka thënë se në asnjërën nga mostrat e kontrolluara në Kosovë nuk kanë gjetur bakterie koliforme.

    “Uji i ambalazhuar “Rugove” kontrollohet ne laboratorët e IKSHPK-se. Në asnjërën nga mostrat e kontrolluara nuk kemi izoluar bakterie koliforme. Në rast se kemi dështim në kualitetin e prodhimeve, informohet Inspektorati Sanitar i Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tij për Reporteri.net.

    Më një reagim zyrtar për dyshimet e ngritura ka dalë edhe vetë Korporata “Rugove”, që prodhon dhe ambalazhon ujin me të njëjtin emër.

    Nga kjo kompani e kanë konfirmuar vetë se më 12 shkurt gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5 litër, në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet.

    Mirëpo thonë se pasi analiza është përsëritur, ka dalë se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor.

    “Uji Rugove i nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori ynë i brendshëm, disa herë brenda ditës – në mëngjes, gjatë ditës dhe në mbrëmje. Përveç kësaj, produktet tona certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë maksimale”, thuhet në reagimin e kësaj kompanie.

    Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup ka deklaruar se “nga secila dërgesë e ujit burimor dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova, do të merren mostra laboratorike për testimin e mikroorganizmave, në përputhje me Rregulloren për kërkesat specifike, që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim”.

    Paralelisht, kjo agjenci tha se Maqedonia e Veriut ka intensifikuar kontrollet edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet, për të monitoruar mbetjet e pesticideve.

    Ajo tha se produktet nuk do të lejohen në treg pa i pasur rezultatet që e konfirmojnë sigurinë e tyre./Reporteri.net

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!