Në prag të takimit të 27 shkurtit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Gjatë kësaj telefonate, Kurti me Chollet kanë biseduar për propozimin evropian, për çka kryeministri ka ritheksuar se e konsideron si bazë të mirë për bisedime të mëtejme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel. Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, bëhet e ditur në komunikatën e ZKM-së.
Tutje, sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka biseduar edhe për përmbajtjen e propozimit. Ai ka thënë se, përpos njohjes reciproke në qendër, edhe të drejtat e pakicave duhet konsideruar.
“Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.
Në fund, Kurti e ka falënderuar Cholletin dhe ShBA-të për mbështetjen e vazhdueshme në dialog.
Me ftesë të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e dialogut me bazë propozimin evropian.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën, derisa tha se diskutime të mëtejme mbi përmbajtjen e këtij propozimi nuk do të lejohen, çka e ka çuar atë në formatin “mere ose lëre”. /Reporteri.net/.