Lëvizja Vetëvendosje ka mundur sot ta votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatave me shumicën e deputetëve prezentë.
Në seancën e sotme konstituive 100 deputetë kanë qenë në sallë dhe me shumicën e thjeshtë prej 51 votave për raporti ka mundur të kalojë për t’i hapur rrugë betimit të deputetëve.
Megjithatë, kryesuesi Avni Dehari, deputeti i zgjedhur më i vjetër i kësaj legjislature, ndërpreu seancën pavarësisht se pati kuorum në sallë.
Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar për Gazetën Express se për votimin e këtij raporti është dashur shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm.
“Për raportin është shumica e thjeshtë (e atyre që janë të pranishëm dhe votojnë)”, tha Cakolli.
Ai tha se me 51 vota do të miratohej raporti.
Po ashtu, Cakolli shtoi se ndërprerja e seancës nga kryesuesi Avni Dehari përbën shkelje.
Po ashtu edhe partitë opozitare kanë kritikuar vendimin e Deharit për ndërprerje të seancës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti shkelje të rëndë dhe “praktikë të mbrapshtë” vendimin e Deharit.
Po ashtu, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Vetëvendosje po dëshiron të blejë kohë meqë s’e ka shumicën parlamentare për krijimin e institucioneve si parti fituese.
Po të njëjtën akuzë e bëri edhe Time Kadrijaj nga AAK, e cila tha se e Vetëvendosje nuk i ka votat as për kryetarin e Kuvendit e as për Qeverinë.
Dehari sot e ndërpreu seancën dhe tha se e njëjta do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.
Ai si arsye për ndërprerje tha se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara.