×
  • Lajme
  • Lajme

    Në Samitin e Sofjes miratohet ngritja e Tregut të Përbashkët Rajonal ku do të përfshihet edhe Kosova

    Reporteri
    10 Nëntor 2020 | 16:33

    Ka përfunduar Samiti i Sofjes, i zhvilluar si pjesë e Procesit të Berlinit, nën bashkëdrejtimin e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.


    Bëhet e ditur se në samitin, i cili është mbajtur online për shkak të pandemisë së koronavirusit u miratuan dy dokumente kryesore: Ngritja e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Angazhimi për një Axhendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të cilat janë hartuar nga Këshilli Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Tregu i Përbashkët Rajonal do të përfshijë Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

    Mes përfitimeve që pritet të sjelli ky treg u vlerësuan: më shumë punë dhe mundësi punësimi si dhe më shumë zgjedhje me çmime më të ulëta, mundësi udhëtimi, studimi e punësimi dhe të bërit biznes në kushte më të lehtësuara e pa pengesa në rajon.

    Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Përbashkët Rajonal, Majlinda Bregu, në fjalën e saj u shpreh, se zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal një plan i bazuar në katër liritë.

    “Një fazë e re e integrimit ekonomik rajonal do të fillojë nga sot me miratimin nga udhëheqësit e BP6 të CRM dhe Green Agenda (Axhendës së Gjelbër) të lehtësuar nga RCC. Në emër të RCC, unë jam e nderuar, për pjesën e punës që bëmë në formësimin e këtij dokumenti. Zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal nuk ishte një udhëtim i thjeshtë, por ia vlejti mundimi”, ka thënë Bregu.

    Ajo ka thënë se ky është një plan i bazuar në katër liritë, sikundër Tregu i Vetëm i BE-së, i forcuar me Investime, Digjitale, Industri dhe Inovacion. Qeveritë e BP6 janë autorët dhe ata që do e bëjnë realitet Tregun e Përbashkët Rajonal. Plani fuqizon lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon, i mundëson komunitetit të biznesit të provojë potencialin e një Tregu të Përbashkët të bazuar në modelin e Tregut të Vetëm të BE-së, aftësimin e krahut të punës sipas tendencave të tregut të punës, zhvillimin digjital dhe inovacionin.

    Në Samitin e sotëm morën pjesë Liderët e Ballkanit Perëndimor, Kancelarja Merkel, Ursula Von der Leyen Presidentja e Komisionit Perendimor, Presidenti Macron, Kryeministri Conte, Mitsotakis, Plenkovic, Borissov, Komisioneri Varhely, si dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Avdullah Hoti.

    Procesi i Berlinit, u inicua nga Kancelarja Merkel në vitin 2014, si një instrument për të nxitur bashkëpunimin rajonal, fuqizimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor (BP) si dhe për të mbështetur vendet në rrugëtimin drejt integrimin evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!