Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferncë për media pas vizitës treditore në Prishtinë, ka konfirmuar se çështja e Asociacionit do të diskutohet në takimin e radhës të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
Laçak ka thënë se Asociacioni është një zotim që Kosova e ka nënshkruar dhe si i tillë duhet të zbatohet.
“Është zotimi që e ka pranuar Kosova. Ka një parim të mirënjohur të të drejtës ndërkombëtare që thotë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet. Pozita jonë si BE është që duhet zbatuar ato që janë nënshkruar”, u shpreh Lajçak.
I pyetur se a ka ka propozime në tavolinë nga palët për këtë çështje, siç po kërkon Bashkimi Europian, Lajçak mohoi diçka të tillë.
“Nuk ka propozim në tavolinë, por kemi pasë diskutime për këtë çështje me zotëri Bislimi dhe gjithashtu kryeministrin Kurti. Definitivisht do të përmendet në takimin e radhës të udhëheqësve, sepse gjithmonë ngrihet si temë nëpër këto takime”, tha Lajçak në një konferencë për media në Prishtinë.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po ashtu ka konfirmuar se ka shprehur kërkesën për një takim në nivel të lartë Kurti-Vuçiq para pushimeve të verës në Bruksel.
Lajçak ka thënë se janë duke punuar për një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.
“Takimin e radhës mes delegacioneve do ta kemi në korrik dhe jemi duke punuar që ti takojmë të dy Kurtin dhe Vuçiq.