Dy deputetë të Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, sot po qëndrojnë në Kosovë, ku kanë takuar udhëheqësit e VV’së dhe LDK’së, të cilëve u kanë kërkuar sa më shpejtë ta formojnë qeverinë, dhe njëri prej tyre i ka dërguar mesazh direkt LDK’së, duke i thënë se nuk është koha për ta zgjedhur presidentin, por për ta formuar qeverinë. Këtë mesazh të gjermanëve kanë filluar ta shpërndajnë në rrjetet sociale edhe udhëheqës të VV’së.
Schmidt, pas takimeve në VV e LDK ka deklaruar para mediave se “tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti por të formohet qeveria”. E ndaj kësaj ka reaguar edhe Beyer duke e aprovuar me fjalën “saktësisht”.
Këtë mesazh të deputetëve gjerman e ka shpërndarë në Facebook edhe Albulena Haxhiu e VV’së duke thënë se mesazhi ishte i qartë.
“Mesazh i qartë: Tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti por të formohet qeveria”, ka shkruar Haxhiu.
Negociatat në mes të VV’së dhe LDK’së, kanë ngecur pikërisht shkaku i postit të presidentit, post të cilin po e kërkojnë në partinë e Isa Mustafës, për ta futur si pjesë të marrëveshjes. Në anën tjetër në VV nuk po e pranojnë këtë.