Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili u intervistua dje si i dyshuar për gati katër orë lidhur me një tender për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, ka reaguar.
Peci teksa ka përmendur votat që ka marrë në zgjedhje, ka thënë se epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur.
Reagimj i tij i plotë:
Të dashur qytetarë, miq e familjarë;
U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.
Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.
Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot! 🫶
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Ushqimit, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë dhe zyrën e një kompanie private të martën ka sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, në aksionin që lidhej me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore, janë intervistuar dy persona, që janë liruar në procedurë të rregullt.
Siç ishte konfirmuar nga Prokuroria, u intervistuan ministri Faton Peci dhe drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha. E në raport rasti është cilësuar si “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. /Reporteri.net/