Nëna e një nxënëseje të klasës së tetë të shkollës “Hasan Prishtina”, po pretendon se vajza e saj po bullizohet për shkak të pamjes fizike.
Ajo thotë se i ka dalë problem edhe me drejtoreshën e shkollës Sofije Bunjaku dhe kujdestaren e klasës Hamdije Shyti.
Sipas kësaj nëne, e cila ka folur për gazetën online Reporteri.net në kushte anonimiteti, vajza është bullizuar për shkak të pamjes fizike. Ajo thotë se për këtë arsye i është dashur që vajzës të ia ndërrojë klasën.
Për shkak të kësaj lëvizjeje nëna pretendon se vajza nuk është mirëpritur në klasën tjetër.
Ajo akuzon kujdestaren e klasës dhe dy mësimdhënëse të tjera se nuk po ia notojnë vajzën sipas mertave.
“Në fillim jam detyru me ia ndrru klasën për shkak të bullizimin që e ka pasur për shkak të pamjes së saj fizike, që ka qenë e edhe dobët dhe e imët. Për këtë arsye vendosa me ia ndrru klasë. Me vështirësi ia kam ndërru klasën.”, tha nëna.
Ajo thotë se drejtoria e shkollës ka qenë e njoftuar për bullizimin ndaj vajzës së saj.
Nëna e nxënëses thotë se vajza e saj shpesh është kthyer me mavijosje nga shkolla.
Ajo akuzon kujdestaren e klasës se e ka nxjerrë nga klasa në mënyrë të vrazhdët.
Po ashtu sipas saj vajza e saj bullizohet nga një bashkmoshatar, me mesazhe fyese.
“Vajza ka fillu me pas probleme psikologjike. Qe dy herë vajzës i ka rënp të fikët në klasë dhe ka probleme me aritmi, për çka janë në dijeni edhe kujdestarja dhe drejtoresha e shkollës.”, thotë nëna.
Ajo shprehet shumë e shqetësuar për gjendjen e vajzës së saj dhe thotë se arsimtarët e tjerë thonë se vajza është e sjellshme dhe inteligjente.
Nëna thotë se do ta kallëxojë penalisht kujdestaren e klasës dhe do të ankohet në Inspektoratin e Arsimit.
Ekipi i gazetës online Reporteri.net ka qenë në shkollën “Hasan Prishtina” për të kontaktuar me drejtoreshën dhe kujdestaren e nxënëses, por ato nuk kanë qenë në shkollë.
Gazetarja Leonora Kolukaj ka kontaktuar përmes telefonit me drejtoreshën Sofije Bunjaku e cila ka thënë se është në një takim dhe ka premtuar se do të lajmërohet kur të jetë e lirë.
Po ashtu Reporteri.net ka kontaktuar edhe me mësimdhënësen Shyti e cila sapo ka marrë vesh për çka bëhet fjalë e ka ndalur telefonin. /Reporteri.net/