Ish-deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj, ka thënë se Presidenti duhet t’ia japë mandatin fituesit, i cili obligohet të ndërtojë Qeverinë brenda dy javësh ose të shpallë dështimin.
Nitaj ka shkruar se gjithë interpretimet tjera janë fjalë të kota.
“Ai qe ka fitu zgjedhjet duhet ta marrë mandatin menjëherë e pa diskutim dhe ta krijoje qeverinë brenda afatit kushtetues, ose ta pranojë dështimin! Prandaj janë dhënë dy javë që ai të provojë marrëveshjen ose dështimin!”, ka shkruar Nitaj.
Nënkryetari i AAK’së ka shkruar se interpretimet e VV-se edhe mund t’i kuptojë se per hall e kane, po “keta telallet nuk po i marr vesh ku e kane hallin!’.
“Po mos u perpiqni me e zbulu rroten se e kane zbulu te tjeret para jush”, ka shkruar ai.
Sidoqoftë, Albin Kurti po vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë. Këtë veprim po e bën duke mos e takuar Presidentin Thaçi, i cili do ta dekretonte liderin e VV’së për ta marrë pushtetin.
Mungesën e takimeve me Thaçin e ka konfirmuar Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot nuk është planifikuar takim i z.Kurti as me presidentin Thaçi as me z.Mustafa. Nuk është planifikuar takim”, deklaroi Arlind Manxhuka për ‘RADIO 1’.
Albin Kurti prej vitit 2010 synon ta marrë pushtetin. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 6 tetor ka dalë i pari. Ndërsa, të enjten e kaluar edhe është konstituuar Kuvendi, duke i hapur mundësi formimit të Qeverisë.
Të premten, Presidenti Hashim Thaçi i dërgoi dy ftesa Kurtit për takim. Por, lideri i VV’së refuzoi. Njëherë tha se s’ndodhet në Prishtinë, ndërsa, herën tjetër ironizoi duke thënë se për një ditë takim organizojnë vetëm gjimnazistet. Madje, tha se siç s’bën të vonohet formimi i Qeverisë ashtu edhe s’bën të bëhet gjërat me nguti.