×
  • Lajme
  • Lajme

    Nënkryetari i LDK-së: Vjosa Osmanit ia ofruam kandidimin për kryetare të Mitrovicës, e pastaj të Prishtinës, por refuzoi

    Reporteri
    08 Prill 2020 | 20:13

    Në reagimin e ashpër të nënkryetari të LDK-së, Agim Veliu, ndaj bashkëpartiakes së tij Vjosa Osmani, ish-Ministri i Brendshëm zbulon se Kryeparlamentares LDK-ja i kishe ofruar dy herë kandidimin për kryetare të komunës.


    Veliu thotë se Vjosa Osmani fillimisht ishte propozuar të jetë kandidate e LDK-së për kryetare të Mitrovicës, që është edhe vendlindja e kryeparlamentares Osmani. Por sipas tij, ajo ka refuzuar, shkruan Reporteri.net.

    Tutje, ish-kryetari i Podujevës thotë se në vitin 2017, të njëjtës, nga LDK-ja iu propozua kandidatura për kryetare të Prishtinës, kandidim të cilin Veliu thotë se serish e refuzoi vetë ajo.

    “Apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë”, thotë Agim Veliu në reagimin e tij ndaj Vjosa Osmanit, shkruan Reporteri.net.

    Në këtë reagim, Veliu Osmanin e quan “përkthyese të Thaçit” duke aluduar në një rast kur ish-kandidatja e LDK-së për Kryeministre, kishte kryer rolin e përkthyeses në një vizitë të atëkohë kryeministrit të vendit Hashim Thaçi dhe ish-Presidentit Fatmir Sejdiu në Washington.

    Nga kjo ngjarje, Osmani, që atëherë ishte shefe e kabinetit të Sejdiut, mbahet mënd për një ndërhyrje në prezantim. Ajo kishte korrigjuar ish-kryeministrin Thaçi derisa ky e kishte ngatërruar nikoqiren sekretaren Hillary Clinton me paraardhësen Madeleine Albright.

    Ky është reagimi i plotë i Agim Veliut:

    Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri

    Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

    LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë.

    Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës.

    Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste.

    Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet.

    Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta.

    Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj.

    Të thuash se strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së, është hipokrizi.

    Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër.

    Të thuash se dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë një kryeministër, i cili nuk ka guxim ta marrë udhëheqjen e dialogut dhe refuzon ftesat amerikane për përfshirje në dialog, është një paradoks tjetër.

    Të thuash e përkrahi qëndrimin amerikan për dialogun e taksën dhe njëkohësisht e përkrahi një kryeministër që shpërfill kërkesat e Departamentit të Shtetit, është kontradiktore.

    Të thuash se 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk përfaqësojnë legjitimitet qytetar, është mungesë elementare e njohjes së demokracisë që buron nga vota e popullit.

    Ta kundërshtosh partinë tënde që ta udhëheqë shtetin dhe dialogun, siç ka bërë në të kaluarën, por edhe tani, është keqpërdorim i besimit të partisë dhe elektoratit.

    Këto paradokse dhe anakroni gjejnë përgjigje te ajo thënia popullore: “han bukën e shtëpisë, bën argatin e kojshisë”.

    Ka dalë në oborrin e një fqinji që ka pretendime për shtëpinë e saj dhe është bërë me të, kundër shtëpisë së vet.

    Po e fajëson shtëpinë e vet pse po e mbron pragun e vet, e po i duken normale synimet gllabëruese të fqinjit pretendues ndaj shtëpisë së saj.

    Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!