×
  • Lajme
  • Lajme

    Nënkryetarja e Kuvendit: Po tentohet të bëhet pazar për presidentin

    Reporteri
    17 Nëntor 2020 | 23:51

    Arbërie Nagavci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje  ka thënë se po tentohet që të bëhet pazar për pozitën e presidentit në interes të grupeve të caktuara të interesit.


    Megjithatë, sipas saj njëherë duhet të ketë zgjedhje e pastaj të zgjidhet presidenti nga një legjitimitet i ri në Kuvend.

    “Në raport me pozitën e presidentit ne e kemi deklaruar se besojmë se fillimisht duhet të ketë zgjedhje të reja. Çdo diskutim për një president apo presidente në këtë konstelacion politik vetëm se e tregon se edhe njëherë po tentohet që të bëhet pazare në favor të personave të caktuar apo grupe të ngushta të interesit, gjegjësisht partive politike gjë që nuk do të ishte e mirë për vendin, sidomos në këto kohë në të cilat jemi”, ka thënë Nagavci. “Duke qenë se edhe një pjesë e madhe e deputetëve tashmë në fakt nuk qëndrojnë për atë se çfarë u kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet e fundit do të duhej që fillimisht të kishim zgjedhje të reja. Një legjitimim edhe të Kuvendit edhe të institucioneve tjera dhe pastaj nga një Kuvend legjitim të kemi edhe propozimet për presidentin apo presidenten e vendit”, tha ajo në Interaktiv në KTV.

    Ajo ka shtuar se është momenti i fundit që vëmendja të jetë tek ajo që është më e mira për Kosovën e jo për individë të caktuar apo parti të caktuara politike.

    “Jemi të bindur se për vendin që së pari të kemi zgjedhje të reja dhe pastaj pas zgjedhjeve të reja, pasi qytetarët të thonë fjalën e tyre pastaj mund të bisedohet edhe për presidentin apo presidenten e vendit. Deri atëherë Osmani do të jetë ushtruese e detyrës dhe besojmë se ajo do të jetë në nivel të detyrës”, ka thënë Nagavci.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!