Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratën në vlerë gati 4 milionë euro për ndërtimin e pishinës gjysëm-olimpike, shkruan Reporteri.net.
Me këtë kontratë, vlera totale e së cilës është 3 milionë e 956 mijë e 120 euro, është shpërblyer grupi i kompanive “NNT BINI SH.P.K; Arad 94 SH.P.K”. Kontrata është dhënë me procedurë të hapur. Për këtë tender s’ka pasur konkurrencë, meqë kjo ka qenë oferta e vetme.
Përmes kësaj kontrate parashihen punët ndërtimore, punët e konstruksionit të pishinës dhe sistemit të filtrimit, punët e instalimit elektrik, të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të instalimeve të makinerisë. Në dosje parashihen edhe punët e ngrohjes në dysheme, ventilimi dhe klimatizimi, kthina teknike, panelet solare për ngrohjen e ujit sanitar dhe panelet solare për ngrohjen e ujit të pishinave.
Firmat në kontratë janë vënë më 30 maj. Afati kohor për ndërtimin e kësaj pishine është 36 muaj.
“Nëse për shkak të neglizhencës në punë shkaktohet dëmtim në zonën përreth kantierit dhe brenda kantierit, atëherë përgjegjësia për rregullimin i takon kontraktorit.Materiali i demoluar,mbeturina,dheu etj që nuk ka ndonjë vlerë konsiderohet pronë e pronarit dhe pronari do të japë udhëzime për asgjësimin apo deponimin e materialit të demoluar, ndërsa demolimi dhe transporti janë përgjegjësi e kontraktorit. Çmimi për skeleri duhet të përfshihet në çdo pozicion ku nevojiten për përfundimin e punimeve apo realizimin e atij pozicioni. Çmimet duhet të përfshijnë çdo aktivitet tjetër që nuk përshkruhet këtu, por që është i nevojshëm për përfundimin e punimeve apo realzimin e pozicionit. Kontraktori është i detyruar të bëjë matjet e të gjitha pozicioneve, para fillimit të prodhimit dhe furnizimit. Gjatë testimit të materialeve ndërtimore të jetë prezent menaxheri respektivisht mbikqyrësi i projektit nga autoriteti kontraktues.”, theksohet në dosje. /Reporteri.net