×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi parlamentar

    Nëntëmbëdhjetë seanca të dështuara, Haxhiu: Ka një plan për të penguar konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    21 Maj 2025 | 12:14

    E propozuara për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit të nëntëmbëdhjetë të konstituimit të Kuvendit  ka thënë se “ka një plan” për të penguar konstituimin e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Haxhiu para mediave ka thënë se VV-ja e ka të qartë se çfarë do – të konstituohet Kuvendi i Kosovës e më pas të procedohet me formimin e qeverisë së re. Por, ajo ka thënë se opozita nuk po di se çfarë do.

    “Është seanca e dhjetë që ka kërkesë që të votohet komisioni për votimin e fshehtë. Në këtë drejtim nuk po propozohet ende kandidati për kryetar të Kuvendit, por Komisioni për votimin e fshehtë. Për VV-në është e qartë se çka do. LVV-ja do që të konstituohet Kuvendi dhe më pas që të vazhdojmë me hapa tjerë për formimin e Qeverisë. Por, nuk është e qartë se çfarë do opozita. Pra në vazhdimësi siç keni parë kanë qëndrime të ndryshme. Është e qartë që ata kanë preferenca, kanë emra të përveçëm. Ne bazohemi në të drejtat kushtetuese, që vlejnë më shumë se çfarëdo preference tjetër. LVV-ja ka qenë e qartë në këtë drejtim, kryeministri Kurti po ashtu ka folur. Është e drejtë e Lëvizjes që të bëjë propozimin për kryetar Kuvendi”, tha Haxhiu.

    Teksa foli për deklaratën e Kurtit, i cili mbrëmë konfirmoi se ka pasur bisedime me Nismën dhe se kjo parti ia ka kërkuar kryetarin e Kuvendit, Haxhiu tha nuk mund të ndërtojnë standard tjetër, përpos atij që e ka thënë populli me votë në zgjedhje.

    Sipas saj, “ka një plan për të penguar konstituimin e Kuvendit”.

    “Në qoftë se ne ndërtojmë një standard tjetër, ku dikush tjetër na cakton neve emrat, apo dikush tjetër ka kërkesa për të qenë në këtë pozicion, mendoj se nuk po e mishërojmë vullnetin e popullit, sepse VV-ja ka dalë partia e parë. Nëse vazhdojmë e kërkesa apo preferenca që i ka opozita, atëherë ne do ta kemi një kryetar që i pëlqen opozitës. Ne nuk jemi këtu për ti pëlqyer njëri tjetrit- ne jemi parti politike dhe duhet të sillemi me përgjegjësi. Ka një plan për të penguar konstituimin e Kuvendit dhe ky është vendim i gabuar sepse qytetarët presin nga ne ta konsistuojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë”, tha Haxhiu. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!