Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti me kërkesë të prere për heqjen e taksës, në të kundërt LDK-ja do të dilte nga koalicioni.
Mustafa kishte shkruar se LDK-ja nuk mund të qëndrojë në një qeveri që, sipas tij, po prish raportet me SHBA, shkruan Reporteri.net.
Kreu i LDK-së thotë se nuk mori asnjë përgjigje nga Kurti lidhur me këtë letër por, sipas tij, përgjigja ishte shkarkimi i Veliut.
Lexoni letrën e plotë që Mustafa ia dërgoi Kurtit dy ditë para shkarkimit të Veliut:
“I nderuari Kryeministër, Kurti
Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarifën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.
Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës.
Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë.
Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht.
Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime.
Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët.
Nese vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor.
Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.”
Me respekt,
Isa Mustafa