Një tjetër përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të bëhet nesër. Kjo do të jetë seanca e 24-të çdo 48 orë që nga 15 prilli. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
VV në të gjitha seancat e fundit ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në votim të fshehtë, për çka nuk ka marrë përkrahje.
Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po vazhdon, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën e krijuar.
Nga PDK, LDK dhe AAK thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim.
Por nga VV-ja kanë thënë se tani nuk kanë nevojë për partnerë. Këtë deklaratë e ka bërë Besnik Bislimi, i cili është edhe zëvendëskryemistër në detyrë.
“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka theksuar ai.
Bislimi në një intervistë për Deutsche Wellen, ka thënë se “Nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.
Nga VV-ja nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Presidentja Osmani pas një takimi që kishte me krerët e partive politike, ka paralajmëruar se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, nëse nuk gjindet një zgjidhje. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim nga palët.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/