Nesër do të mbahet seanca e 28’të, në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit. Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për këtë positë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse, dhe s’po heq dorë nga emri i saj. Në asnjërën nga votimet për të, ajo s’ka marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur, i nevojiten 61, shkruan Reporteri.net.
Deputetët do të mblidhen sërish nesër, për konstituimin e Kuvendit. Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 27 vazhdime të saj. Nesër është seanca e 28’të dhe deri tash nuk ka ndonjë sinjal për rrugëdalje nga ngërçi i krijuar tash e dy muaj.
Në seancën e mbajtur dje, VV ra në 50 vota, duke mos arritur të kalojë Komisionin për zgjedhjen e Kryetarit me votim të fshehtë. VV e ka përsëritur këtë strategji qe disa seanca, pavarësisht kundërshtimit nga partitë e tjera për ta ndryshuar formën e votimit në mes të procesit.
Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.
Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.
“50 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca. Takohemi më 7 qershor, në orën 11:00”, tha Dehari.
Deputetët po i marrin rrogat, ndonëse në secilën seancë, sidomos ato të fundit, puna e tyre në Kuvend është 10-15 minuta.
Çështja e pagave të tyre dhe ngërçit të krijuar është diskutuar edhe sot, në ditën e festës së Kurban Bajramit. Tema është hapur nga Kryetari i Bashhkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.
Gjatë pritjes tradicionale në BIK, Tërnava ka pritur një delegacion të qeverisë në detyrë, të kryesuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Tërnava ka ironizuar në një moment të bisedës, duke thënë se do të donte t’i ftonte të gjithë deputetët ta prenjë nga një kurban, me shpresën se do të ndihmonte kjo në zgjidhjen e ngërçit politik.
“Desha t’i ftojë të gjithë anëtarët e Parlamentit ta premë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, ka thënë Tërnava.
Ndaj kësaj ka reaguar Kurti duke e bërë një “distancim” duke thënë se deputetëve “rrogat po ju ecin…”
Dikush nga pala e Bashkësisë Islame ka reaguar duke thënë “najfarë mësyshi e keni…”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se se kriza politike ka hyrë në një rrugë pa dalje dhe pritet të marrë fund vetëm me zgjedhje të reja.
Haziri tha se partia e tij ia ka treguar disa opsione Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit për tejkalim të ngërçit, ndërsa e akuzoi atë se po tenton që të blejë deputetë për mazhorancën, duke e konsideruar këtë fenomen “një prostitucion politik”.
Haziri shtoi se nuk beson që Gjykata Kushtetuese mund të zgjidhë çështjet politike.
Sa i përket propozimit për një qeveri me bazë të gjerë, konfirmoi se është diskutuar në presidencë dhe se atë e mbështesin të gjitha partitë, përveç Vetevendosjes.
“Është e vërtetuar pasi të gjithë deputetët janë deklaruar për të ndryshuar qëndrim politik, për të ndryshuar votë. Kjo nuk është një metodë që LDK e praktikon, për ne është e papranueshme. Përkundër që të tjerët e trajtojnë si legjitime. Deputetët e LDK janë unik dhe qëndrimi është i zbardhur dhe i ndërtuar në një debat të brendshëm. Ai ndryshon me debat të brendshëm, por jo me trafikim politik, apo prostitucion politik”, tha mes të tjerash Haziri./Reporteri.net