Një tentativë e re për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të mërkurën. Kjo do të jetë seanca e pestë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.
Lëvizja Vetëvendosje ditën e djeshme nuk e hodhi fare në votim propozimin për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të mërkurën. Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë dhe marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje. Ndërkohë, PDK dhe LDK i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten, duke ia bërë të qartë se Haxhiun nuk e votojnë, shkruan Reporteri.net.
Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër, pasi që sipas tij Albulena Haxhiu do të dështojë kurdoherë që del në votim.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen dhe partnerët e saj se po e bllokojnë konstituimiin e institucioneve dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Koalicioni Vetëvendosje-GUXO-Alternativa po, siç kemi thënë e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, por jo për ta imponuar me çdo kusht për këdo që propozon. Sot po e shihni se këta po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend që të propozonin një kandidat tjetër, kandidatja që ka dështuar disa herë, e që do të dështojë edhe sot, nuk mund të jetë më e rëndësishme se krijimi i institucioneve. Rrugëdalja është e qartë. LVV duhet ta gjejë një kandidat tjetër sepse kandidatja që ka dështuar do të dështojë përsëri. Nuk duhet ta lënë peng Kuvendin për shkak të tekeve apo problemeve të brendshme.”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Haxhiu është simbol i dështimeve.
“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie, krejt mandatin e ka pas me skandale të ndryshme prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e deri të ulja e buxhetiti për mbrojtjen e çlirimtarëve.”, shtoi Krasniqi.
Ai tha se rruga e zhbllokimit është e qartë.
“Rruga është e qartë duhet të ndryshojnë kandidatin. Nuk më takon mua të ia zgjedhë kandidatin VV-së. Qikjo jo, i kanë edhe 47 të tjerë le të provojnë.”, tha Krasniqi.
Krasniqi i përmendi edhe zgjedhjet e reja si opsion.
Pas Krasniqit, u deklarua edhe Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai tha se partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe të ulen e të arrijnë dakordim për kryeparlamentarin, sikurse vepruan të shtunën për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve.
Murati tha se shpreson që deri të mërkurën partitë e tjera të reflektojnë që të zhbllokohet ky proces, teksa insistoi se partitë duhet të votojnë propozimin e tyre.
Theksoi se kandidatja e VV’së për këtë post do të vazhdojë të mbetet e njëjta, Albulena Haxhiu.
“Duhen ndoshta që të ulemi njësoj si për raportin, pra po shihet që për cdo hap gjatë rrugës duhet një dakordim dhe konsensus politik që të zhbllokohet procesi. Emri dhe propozimi i takon partisë fituese. Ne si parti fituese e propozojmë kryetarin dhe është e udhës që kandidati të mbështetet nga partitë tjera”, dekalroi Murati.
Edhe ai i përmendi zgjedhjet, duke thënë se është opsion gjithmonë.
“Nuk është VV duke u tregu jo konstruktive. Opozita e ka mundësinë ta zhbllokoj procesin, por po e bllokon. I kemi dhe dy ditë e shpresojmë që opozita të reflektojë si për raportin’, shtoi tutje ai.
Sipas deputetes së LDK’së, Hykmete Bajrami, sot është shkelur rregullorja e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se emri duhej të ishte propozuar nga VV-ja.
Në atë që përmendi Glauk Konjufca se njësoj do ishte edhe për nënkryetarët, Bajrami e LDK-së tha se nuk është situatë e njëjtë pasi Kryetari përfaqëson Kuvendin, ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike.
“Sapo u konstatua që u shkel edhe një herë rregullorja e Kuvendit për faktin se ishim në një proces të votimit dhe krejt çfarë ishte autorizuar sipas rregullores, VV-ja si fituese e zgjedhjeve ishte që të propozonte emrin, dhe ish dashur që të procedohej me emër. Paralelja që po e tërheq Konjufca, janë si kryetari si nënkryetari s’është e saktë, pasi Kryetari përfaqëson Kuvendin, ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve”, deklaroi Bajrami.
Ajo tha se VV-ja s’ka vullnet as për marrëveshje politike përderisa insistojnë të mos ndryshojnë as emrin, ndërsa shtoi se si LDK nuk kanë një emër të caktuar, pavarësisht se ajo tha emra tjerë janë përmendur nga një parti tjetër politike.
“Kërkesa për kohë shtesë edhe për 48 orë tjera për të arritur marrëveshje politike, ku insitojnë se s’do ta ndryshojnë emrin e kandidates, në anën tjetër kërkojnë nga deputetët që ata të votojnë sipas vullnetit të VV-së, ky veç vullnet për marrëveshje politike s’është. Palët duhet të dëgjohen”.
“Sikur këta të ishin interesuar për marrëveshje, ishin ulë e kishin folë për emrin e pranueshëm”, tha Bajrami pas dështimit të seancës.
“Përgjegjësia në këtë rast është e partisë fituese, ata duhet të ulen të bisedojnë me partitë politike”, shtoi Bajrami, ndërsa tha se VV-ja është bllokuesja e vërtetë.
“Nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje. Bllokuesit e vërtetë në këtë rast janë VV-ja. Ata duhet të ulen me partitë politike. Ne s’jemi ata që po kërkojmë një emër tjetër nga radhët e VV-së. Ata mund ta propozojnë edhe një kandidat edhe komplet prej një grupi tjetër, dhe ulemi i pyesim deputetë si duan të votojnë. Është situatë që s’mund të vazhdojë në pafundësi”, tha deputetja e LDK-së.
Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosja tha se partitë e tjera e kanë obligim që ta votojnë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij.
“ Për dallim nga qëndrimi politik apo mbështetja dhe mosmbështetja për të marrë pjesë në votim për qeverinë e cila i propozohet Kuvendit dhe mandatarin, votimi për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarëve është obligim i të gjitha grupeve parlamentare. Në situatën aktuale, ashtu siç po deklarohen grupet parlamentare politike të opozitës së deritashme i bie që menjëherë pas arritjes së një shumicë që kërkohet për zgjedhjen e kryeparlamentares me 61 vota për, atëherë ne si grupi më i madh parlamentar kemi forcën që të bllokojmë apo zgjedhjen e nënkryetarëve.”, tha ajo.
Ajo tha se nuk e kanë qëllim bllokimin e Kuvendit.
Tentativa e pestë për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të mërkurën, me fillim nga ora 10:00.Reporteri.net/