×
  • Lajme
  • Lajme / Në orën 10:00

    Nesër seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për çmimin dhe faturimin aktual të rrymës

    Reporteri
    17 Janar 2024 | 17:03

    Të enjten, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzkonshme.

    Seanca e thirrur në ora 10:00 ka vetëm një pikë në rend dite “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët”.

    Seanca e jashtëzakonshme për çështjen e çmimit të energjisë elektrike është thirrur nga PDK-ja.

    “Me mbështetjen e 40 deputetëve nga partitë tjera opozitare, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar mund të fillojë sesa me diskutimin për çmimin e energjisë”, tha Abelard Tahiri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Ai shtoi se kanë propozuar gjithashtu një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave.

    “I dini shqetësimet e qytetarëve që po paguajnë çmimet e larta të energjisë në vendin tonë. I kemi propozuar Kuvendit edhe një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave. Ditën e enjte do ta kemi vetëm këtë seancë të propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, kishte thënë Tahiri.

    Qytetarë të shumtë kanë reaguar të pakënaqur lidhur me faturimin e rrymës në muajin dhjetor, ku shumë prej tyre janë ankuar se kanë paguar dyfishin e muajit paraprak.

    Lidhur me këtë në KESCO 1700 qytetarë janë ankuar.

    Nga KESCO kanë thënë se rritja e vlerës se faturave është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.

    “KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023. Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhej mes tjerash në reagim./Reporteri.net/

    KESCO: S’ka rritje të tarifave, konsumatorët po marrin fatura të larta se po përdorin masivisht rrymën për ngrohje

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!