Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka deponuar në Kuvendin e Kosovës listën me 46 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të votuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.
Por, situata e jashtëzakonshme me coronavirusin e ka bërë të paqartë mundësinë për mbajtjen e saj, ani pse Kushtetuta thotë se ajo duhet të bëhet brenda 5 ditësh, shkruan Reporteri.net.
Gazeta ka mësuar se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku do të vendoset për fatin e seancës por edhe i kryeministrit Albin Kurti, do të mbahet nesër në orën 14:00.
Zyrtarë të Kuvendit i kanë konfirmuar Reporterit se ky institucion i ka dërguar letër Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për të pyetur nëse janë kushtet për ta mbajtur seancën e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje po insistojnë se kjo seancë shkelë udhëzimet e Qeverisë për masa parandaluese. Deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollcaku, ka thënë para disa ditësh se Covid 19 i përcakton rregullat.
“A mos po mendoni se imuniteti politik i deputetit, nënkupton edhe imunitet karshi sëmundjeve??? NUK KA KUSHTE PËR MBAJTJE TË SEANCËS e aq më pak për debat parlamentar! COVID-19 sot i përcakton rregullat e veprimit, mos harroni!”, ka thënë ajo.
Në LDK, ndërkaq, po vazhdojnë të mbesin prapa mocionit të mosbesimit. Dje kryetari Isa Mustafa e sot ministri i LDK-së, Besian Mustafa, kanë konfirmuar se janë prapa mocionit i cili tani është në procedurë në Kuvend.
Ndryshe, sipas nenit 100 të Kushtetutës, Kuvendi është përgjegjës të thërras seancën e jashtëzakonshme jo më larg se 5 ditë nga dita e deponimit të kërkesës për seancë të jashtëzakonshme për mocion mosbesimi./Reporteri.net