Tashmë është zyrtare ulja e tarifave roaming të telefonisë celulare me Kosovën.
Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare miratoi të premten masat e propozuara në muajin mars, së bashku me vendimet përkatëse për rregullimin e tarifave roaming për të tre operatorët e telefonisë celulare në vend.
Nga data 15 qershor, tarifa tavan që përdoruesit shqiptarë do të paguajnë për roaming-un në Kosovë do të jetë 28.5 lekë për minutë thirrje dalëse, 6 lekë për minutë për thirrje hyrëse, 9 lekë për mesazh të shkruar dhe 26.4 lekë për megabyte internet.
Të njëjtat tarifa do të aplikohen për përdoruesit kosovarë në Shqipëri.
Duke filluar nga 1 korriku i vitit 2021, parashikohet që të gjitha tarifat roaming mes dy vendeve të eliminohen plotësisht dhe përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit.
AKEP ka hedhur për konsultim publik dokumentin përkatës, sipas të cilit niveli i tarifave dhe etapat do të jenë të njëjta si me Kosovën.
Miratimi i rregullimeve pritet të bëhet pas datës 8 qershor, ndërsa që nga 1 korriku përdoruesit shqiptarë do të paguajnë tarifa më të ulëta për roaming në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë./dita/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.