Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar hapa ligjor ndaj këshilltarit të Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, pas një postimi që ky i fundit ka bërë gjatë ditës së sotme.
Zyberaj në një postim në Facebook, ka teksa ka shpërndarë pamjet e takimit të presidentes Osmani me djalin e heroit Afrim Bunjaku, ka akuzuar Osmanin se bashkë me Qeverinë kanë negociuar lejimin e largimit të terroristëve, që më 24 shtator të vitit të kaluar vranë rreshterin Afrim Bunjaku.
“Djalin e heroit Afrim Bunjaku shume mire qe e ke taku. A i tregove qe terroristet qe ia vrane baben, kane negociu dhe jane leju prej qeverise tande e te Albinit me u largu pa nje therre ne kambe?”, ka shkruar Zyberaj.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Kupina nga Presidenca në reagimin e tij ndaj Zyberajt, ka thënë se presidentja nuk ka negociuar me terroristët duke e quajtur postimin e tij “shpërndarje të propagandës serbe”. Ai ka thënë tutje se propaganda është ”specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij”, andaj ai ka paralajmëruar se presidentja do të ndërmarr hapa ligjor ndaj tij.
“Jetlir Zyberaj Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ngaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku. Shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku”, ka shkruar Kupina në Facebook.
Kupina tutje ka ka thënë se një deklaratë e tillë përveç se është “shpifje” nxit edhe “urrejtje”.
“Përtej qëllimit të ulët e propagandistik, një deklaratë e tillë përbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urretjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit”, ka shkruar Kupina.
Por, këshilltari i Pacollit, në një reagim tjetër, ka thënë se kategorizimi i përgjithshëm i të gjithë zërave kundërshtues si propagandë serbe shërben për të mbytur çdo kritikë që nuk përputhet me siç ka thënë ai “agjendën e Presidentes”.
“Në Kosovë, si në të gjitha regjimet populiste, hedhja poshtë e kritikave si propagandë është bërë një taktikë kryesore e regjimit.
Ky model është i dukshëm në disa zhvillime të fundit. Së pari, çdo përmendje e përjashtimit të Asociacionit të Komunave Serbe nga marrëveshja e njohjes reciproke fillimisht ishte etiketuar si propagandë serbe. U deshën disa muaj që Presidentja ta pranonte këtë fakt, pasi ndoshta po e kupton që
Kurti nuk ia jep mandatin e dytë, jo shkaku sikletit për Kosovën që ka.
Së dyti, pohimi se Kosova është nën sanksione u hodh poshtë si propagandë serbe. Pavarësisht këtij mohimi, sanksionet vazhdojnë, madje edhe ata që janë në pushtet tani po kërkojnë heqjen e tyre. Ky ndryshim nënvizon realitetin se shkarkimi fillestar ishte më shumë për kontrollin e narrativës sesa adresimin e çështjes. Së fundi, kategorizimi i përgjithshëm i të gjithë zërave kundërshtues si propagandë serbe shërben për të mbytur çdo kritikë që nuk përputhet me axhendën e Presidentës.
Gjumi spo i zënë çka me quajt propagandë serbe!”, shkruan Zyberaj. /Reporteri.net/