×
  • Lajme
  • Lajme / Pa kontrolle

    Nga sot kthehet procedura e lehtësuar në kufirin Kosovë-Shqipëri për fundjavat dhe ditët e festave

    Reporteri
    02 Nëntor 2024 | 18:24

    Në pikën e përbashkët kufitare të Morinës është rikthyer procedura e thjeshtëzuar për kalimin e kufirit pa kontrolle për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Procedura është e vlefshme vetëm për fundjavat dhe ditët e festave, të paktën deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm

    Siç raporton Rtsh, kjo procedurë e thjeshtëzuar sipas protokollit ndërqeveritar u rikthye pas një ndërprerjeje nga data 1 deri më 31 tetor.

    Ndërsa nga data 1 mars hyn në fuqi sërish procedura pa kontrolle për kategoritë e mësipërme për një periudhë nëntëmujore, e cila u aplikua këtë sezon turistik.

    Ndërkohë edhe këtë të shtunë shumë qytetarë të Kosovës dhe automjete kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë, fluks i cili krijonte herë pas here kolona në kufi.

    Kjo edhe për shkak të numrit të automjeteve me targa të huaja, të cilat u nënshtrohen kontrolleve.

    Policia kufitare punoi me katër sportele. Gjatë orëve të para të ditës në territorin e Shqipërisë kanë hyrë më shumë se 2.100 automjete me rreth 3.800 shtetas. I njëjti fluks lëvizjeje është regjistruar edhe në dalje të Shqipërisë për në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!