×
  • Lajme
  • Lajme / "Të dënohet akti"

    Nga VV-ja kërkojnë reagim ndërkombëtar për djegien e dyqanit të nënkryetares së Zveçanit

    Reporteri
    09 Mars 2024 | 19:01

    Në veri të Kosovës i është djegur dyqani nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Për këtë rast ka reaguar dje kryeministri i Kosovës, duke e ndërlidhur rastin me strukturat kriminale atje. Kurti në postimin e tij në ‘facebook’ kishte thënë se shpreson që të reagojnë QUINT-i e BE-ja për këtë rast.

    Një ditë pas Kurtit ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke thënë se kanë kaluar 24 orë nga djegia e dyqanit të Tomaniq dhe se askush deri më tani nga ndërkombëtarët s’kanë reaguar dhe nuk e kanë dënuar sulmin.

    Muja i ka etiketuar në statusin e tij Ambasadën Amerikane, atë Gjermane dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.

    “Kanë kaluar mbi 24 orë nga djegia e dyqanit të nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Natasa është serbe e Kosovës. Deri më tani askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar dhe as nuk e ka dënuar sulmin.@USEmbPrishtina@GermanAmbKOS@EUKosovo”’, ka shkruar Muja.

    Të njëjtën e ka bërë edhe deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ka thënë se “Beigradi duket se nuk po shqetësohet”.

    “Dyqani i Natasha Tomaniq është djegur dje. Ajo është nënkryetare e komunës së Zveçanit – një serbe kosovare me post zyrtar. Beogradi duket se nuk po shqetësohet, prandaj as komuniteti ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

    Policia e Kosovës dje përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se rasti është raportuar pas mesnate dhe nga ankuesja është thënë se është bërë qëllimshëm dhe vlera e dëmit është mjaft e lartë.

    “Zveçan 08.03.2024 – 00:45. Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë. /Reporteri.net/

    Djegia e pronës private të nënkryetares së Zveçanit, Kurti: Akt terrorist, shpresoj ta dënojnë QUINT-i dhe BE-ja

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!