Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka reaguar pasi emri i saj u përmend nga AAK që nëse do të propozohej nga partia e saj si kryetare e Kuvendit do ta mbështesnin. Bogujevci tha se ky propozim erdhi nga “ata që nuk e kanë të drejtën me propozu”.
Ajo tha se është “interesant” se si nga dikush që e përshkruan si “amatere” dhe jo të përgatitur për të udhëhequr me seancat e Kuvendit, tash është personi i preferuar për pozitën e kryeparlamentares”.
“Është interesant ku dojnë me dërgu debatin dhe diskursin publik, duke u mundu me kriju një narrativë tek populli për veprimet e tona politike. Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhën e politikës tane, ama për vete mos me ju perzi kërkush e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si une jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant”.
“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash po get këta po dojnë me mendu me gjynah për pozicion. Se sa për vlerësim intelektual, profesional, të denjë politik dhe zotsillëkut të punës tane është zero”, shkruan ajo.
Bogujevci tha se s’mund t’i tregojnë partisë së saj se kush duhet me qenë në ulësen e kryetarit të Parlamentit, ndërsa tha se do të vazhdojnë ta mbështesin propozimin për Albulena Haxhiun.
“Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosë populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim. Natën e mirë, shkoni pushoni e shihemi të mërkurën”.
Një tentativë e re për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të mërkurën. Kjo do të jetë seanca e pestë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.
Lëvizja Vetëvendosje ditën e djeshme nuk e hodhi fare në votim propozimin për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të mërkurën. Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë dhe marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje. Ndërkohë, PDK dhe LDK i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten, duke ia bërë të qartë se Haxhiun nuk e votojnë./Reporteri.net/