Zëdhënsi i Bashkimit Evropian, i pyetur për aksionin e djeshëm të Policis së Kosovës në veri ku mbylli gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore”, ka thënë se ishte ngjarje e padobishme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Stano paralajmëroi se lidhur me këtë që ndodhi dje, Bashkimi Evropian do të lëshojë një komunikatë për media.
“Ishte një ngjarje e padobishme që ndodhi dhe reagimin tonë do ta bëjmë të ditur përmes një komunikate për media që do ta lëshojmë këtë pasdite”, tha Stano.
E për këtë, Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh i zhgënjyer me Kosovën.
DASH tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
DASH kritikon Kosovën për mbylljen e degëve të bankës serbe në veri
Policia e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, pas një aksioni të hënën, mbyllën gjashtë njësi të kësaj banke serbe.
Në një njoftim të lëshuar për media, policia tha se kishte konfiskuar rreth 1.6 milionë euro 74 milionë e 700 mijë dinarë, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollarë amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”./Reporteri.net/