×
  • Lajme
  • Lajme

    Ngritet aktakuzë ndaj shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit

    Reporteri
    21 Maj 2019 | 10:08

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.O., në cilësi të personit zyrtar si Shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


    “Sipas aktakuzës, i pandehuri I.O., prej muajit maj 2017 e në vijim deri në muajin maj të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar si Shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk i përmbush kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, me dije shkel ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i tejkalon kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka shpallur nule ose jo ekzistente.

    Në këtë mënyrë, i pandehuri vepron në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.

    Me këto veprime, i pandehuri I.O., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “ nga neni 422, parag. 1 lidhur me parag. 2.1 të KP-së”, thuhet në njoftimin për media.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!