Darka e punës mes kryeministrit Albin Kurtit the kryetarit të PDK-së ka nisur në një nga hotelet e Prishtinës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ani pse ftesa e Kurtit ka qenë që të diskutohet rreth përmbushes së agjendës legjislative për sezonin pranverorë, shefi i PDK-së ka thënë se do të shkojë për të folur për zgjedhjet e reja parlamentare.
Krasniqi në këtë takim ishte bashkë me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin.
Por, thirrjen e këtij takimi e pa të vonshme, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili në një letër që i kishte dërguar kryeministrit Kurti ka thënë se Kurti për këto tri vite e gjysmë ka mbjellë në polarizim të skajshëm të partive politike në Kosovë dhe se partia që ai drejton do të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës së Kosovës.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Abdixhikut.
Për të parin e AAK-së, Ramush Haradinaj, temë e diskutimit për të cilën i ka ftuar Kurti, bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.
“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z. Besnik Tahiri, i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt.
Por, krahas kësaj përgjegjësie që përmend Haradinaj, edhe vetë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka refuzuar të bëhet pjesë e këtij takimi.
Sot, për Gazetën Online Reporteri.net Tahiri ka thënë se në takim do të merrnin pjesë vetëm nëse do të kishte tema me interes nacional.
“Jo, nuk do të shkoj. Agjenda Legjislative është kompetencë e shefave të grupeve politike në Kuvend, dhe nuk ka nevojë me pas takim të përbashkët me kryeministrin dhe liderët e partive pasi që ne s’mundemi me u marr vesh, vetë. Që ka tema me interes nacional, siç e kemi thenë në letër, le te thirr takimin me ato tema. Pra, nuk shkojmë”, tha Tahiri për Reporteri.net.
Madje, as shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi nuk do t’i shkoj Kurtit në këtë darkë pune.
“Kemi dhënë qëndrimin zyrtar të LDK-së, ai qëndron, nuk shkojmë”, tha Gashi sot për Reporteri.net.
Një ditë pasi u bë zyrtare ftesa e Kurtit ndaj partive politike opozitare, të shtunën, kreu i qeverisë shprehu interesim për takim me të gjithë liderët e opozitës, derisa tha se ka qenë gjithmonë i hapur, i interesuar dhe i gatshëm.