Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ku do të shqyrtohet edhe propozimi i LDK’së për një qeveri të tranzicionit, ka nisur tashmë, shkruan Reporteri.net.
Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, ka deklaruar mbrëmë për Reporteri.net se është informuar mbi këtë propozim dhe se vendimet për propozime të tilla merren në organet e partisë.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, propozoi të martën që të gjitha partitë të merren vesh për një qeveri gjithpërfshirëse të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit.
LDK është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, thuhet në letër.
Deri tani vetëm Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për një takim të tillë./Reporteri.net