Krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të prirë nga Faton Klinaku, kanë nisur takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.
Takimi ka nisur në ora 9:00, ndërsa pos Klinakut është parë edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.
Kurti gjatë ditës së djeshme tha se do ta anulojë shkuarjen në Forumin e Prespës për të mbajtur takim me veteranët dhe për të diskutuar në lidhje me pagën minimale.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan dje në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor, që nuk përfshin rritjen e pensioneve edhe për veteranët.
Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Projektligji, nuk e lidh më pagën minimale me vlerën e pensionit të veteranëve të luftës, siç ka qenë në të kaluarën.
Përfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale e ka kërkuar opozita. Ata kanë refuzuar ta vazhdojmë seancën e djeshme të Kuvendit, me pretendimin se nuk ka kushte normale derisa veteranët po protestojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës si formë kundërshtimi ndaj vendimit për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagë minimale./Reporteri.net