Ndërmjetësuesi evropian i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka pritur të martën në takime të ndara kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Pas takimeve të ndara ka nisur edhe takimi i përbashkët ndërmjet emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryenegociatorit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.
Takimi siç raportohet ka nisur pak para orës 13:00, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Javën që shkoi Bashkimi Evropian njoftoi që temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ndonëse nga Qeveria e Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se për këtë çështje nuk do të diskutohet në Bruksel.
Për takimet në Bruksel, ka folur sot edhe kryeministri Kurti.
Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se është kryenegociatori Bislimi ai i cili ndodhet atje dhe do të njoftojë se për çfarë temash është diskutuar dhe çka është arritur.
“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm [të BE-së, Mirosllav] Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur.
Por, më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro”, tha Kurti në intervistë.
Para takimi mes kryenegociatorëve, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar, derisa është shprehur se i vjen keq se marrëveshja që siç thotë ai ishte e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar.
Borrell tha para gazetarëve zbatimi i marrëveshjes nuk ka qenë aq sa e priste dhe se do të vazhdohet me presion ndaj palëve për të ecur përpara.“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Orientit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, ka deklaruar Borrell. /Reporteri.net/
Kurti: S’pranojmë propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së