×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e dinarit

    Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Reporteri
    04 Prill 2024 | 11:14
    Foto: Arkiv

    Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel, ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Takimi raportohet se ka nisur rreth orës 10:00, derisa paraprakisht kishte një takim në mes të Lajçakut dhe Petkoviqit.

    Në Bruksel, më 25 mars, pati përfunduar pa marrëveshje takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit si mjet pagese me para në dorë, është i ndaluar në Kosovë që nga muaji i kaluar.

    I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së fundi shprehu shpresën se mosmarrëveshjet e mbetura do të tejkalohen gjatë bisedimeve të sotme.

    Ai vlerësoi se takimi i kaluar në nivel të negociatorëve kryesorë, i cili u mbajt më 25 mars, ka qenë konstruktiv, se të dyja palët kanë pasur mundësi të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre dhe se është konstatuar se nevojitet një takim tjetër.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha atë ditë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    “Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

    Takimi i sotëm do të jetë i dyti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i treti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!