Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka treguar se si, përgjatë ditës së sotme, iu është kumtuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, se nuk janë të interesuar për bashkëpunim për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Limaj, i ftuar në emisionin ‘Pressing’ në T7, ka thënë se në ditën e martë, e cila ka qenë afati i fundit i dhënë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për njoftimin e koalicioneve, e ka mësuar nga Hoxhaj se PDK nuk ka interes të bashkëpunojë me partinë e tij.
“Sot e kemi mbyllë mundësinë me z. Hoxhaj për koalicion. Z. Hoxhaj sot ma ka interpretuar qëndrimin e kryesisë së Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë vullnet dhe janë të interesuar të shkojnë vetë në zgjedhje dhe, shihemi pas zgjedhjeve, në bashkëpunime tjera politike”, ka deklaruar Limaj.
Ish-anëtari i PDK-së ka thënë, ndër të tjera, edhe se kërkesa për një bashkëpunim të mundshëm politik në zgjedhje ishte parashtruar edhe nga ish-kryesuesit e PDK-së. Sipas tij, pak para shkuarjes në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli kishin kërkuar bashkëpunim me Nismën.
Limaj ka thënë, po ashtu, se nuk ekziston mundësia për koalicion paszgjedhor me PDK-në.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.