Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në një konferencë për shtyp të shtunën ka prezantuar ardhjen më të re.
Bëhet fjalë për mjekun Gani Bajraktari, i cili do të jetë këshilltar për sektorin e shëndetësisë në kuadër të kësaj partie.
Bajraktari në fjalën e tij pas prezantimit, tha se i është bashkuar Nismas për shkak të gjendjes së krijuar së fundmi në Kosovë.
“Mirëpo nuk kam mundur të rezistojë karshi gjendjes së krijuar në Kosovë, karshi veprimtarive mund të themi jonormale dhe dëshpëruese, në Kosovë kemi ngecje në progres. Është një akt në shumë kushte normal pak i zakontë që një njeri i shkencës të futet në politikë dhe pse ka ndodhur në raste tilla. Deri në këtë vit që po jetojmë asnjëherë nuk më ka shkuar mendja në politikë”, u shpreh Bajraktari.
Limaj lavdëroi arritjet e Bajraktarit në konferencë, teksa paralajmëroi se do të jetë në listën e deputetëve për zgjedhjet parlamentare.
“Nga sot i është bashkuar një prej kontributdhënësve më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë, Prof. Dr. Gani Bajraktari. Doktorit i jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për vendimin e ti që të bashkohet me ne, për të nisur një angazhim të përbashkët për të mirën e Kosovës, e që doktori e ka dëshmuar gjithnjë, varësisht nga rrethanat dhe nevojat e vendit. Nisma Socialdemokrate është e nderuar për ardhjen e një personaliteti të jashtëzakonshëm, dhe shembulli i doktorit duhet të shërbejë për të inkurajuar njerëzit e profileve të ndryshme, që përmes aktivizimit politik të kontribuojnë për vendin, sepse Kosova ka nevoje për njerëz të tillë”, tha Limaj.