×
  • Lajme
  • Lajme

    Një ditë pasi i denoncoi në Polici mikun e tij, Ministri Abdixhiku nis ‘ofensivë’ ndaj Sekretarit Reçica

    Reporteri
    14 Shkurt 2020 | 20:35

    Një ditë pasi Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, denoncoi në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi, Ministri Lumir Abdixhiku duket se është vënë në lëvizje për ta vënë në ‘ofensivë’ mikun e tij që ka në pronësi një biznes për asfaltimin e rrugëve.


    Ministri i ri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, të premten ka drejtuar një shkresë në Prokurorinë Speciale të Kosovës në të cilën ka kërkuar informacion nga ta nëse është duke u zhvilluar ndonjë procedurë hetimore ndaj sekretarit të përgjithshëm të ministrisë Betim Reçica.

    Ai në shkresë thotë se nga mediat është informuar se ndaj Reçices Prokuroria Speciale ka iniciuar procedurë penale.

    “Andaj, ju lutem më njoftoni nëse ndaj z. Betim Reçica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës është iniciuar ndonjë procedurë penale që ndërlidhet me ushtrimin e funksioneve të tij në administratën publike”, thotë Ministri i LDK-së në shkresën e tij drejtuar Prokurorisë Speciale, ditën e sotme, 14 shkurt 2020, të cilën e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Shkresa është dërguar në Prokurori të Shtetit një ditë pasi Reçica denoncoi në Polici një rast kanosje ndaj tij, të bërë nga biznesmeni Valon Ademi. Ky i fundit, pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K., njihet si mik i afërt i Ministrit Abdixhiku.

    Sekretari Reçica, denoncimin për kanosjen përmes telefoni, që nder tjera thotë të jetë kërcënuar me jetë, ka njoftuar një ditë më parë përmes një shkrese edhe Kryeministrin Albin Kurti, Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj.

    “Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhet në shkresën e Reçices, të datës 13 shkurt 2020.

    “Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thotë sekretari i Ministrisë që drejton Lumir Abdixhiku.

    Nga ana tjetër, po dje, portali ‘Indeksonline’, që është në pronësi të biznesmenit Faton Shoshi, ka raportuar se në deklaratën e tij në Polici, Betim Reçiça, ka folur për një grup të organizuar kundër tij. Madje, aty thuhet se përveç Ademit, pjesë e grupit është edhe vet Shoshi dhe Nexhat Krasniqi. Ky i fundit, dikur Drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e më pas edhe në atë të Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, i dënuar me vendin të plotfuqishëm nga gjykata për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Krasniqi, po ashtu, në opinion njihet edhe si ‘Baba i Tenderëve’.

    Megjithatë, po del se Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica ka qenë i përgatitur për përballjen me Ministrin Abdixhiku.

    Kjo pasi, siç e ka mësuar Gazeta Online “Reporteri.net”, Reçica, certifikatën që dëshmon se nuk është duke u ndjekur penalisht në asnjë rast penal dhe as nuk është i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me vetiniciativë e ka dorëzuar në Kryeministri të Kosovës para më shumë se një jave.

    Certifikata, e siguruar nga Reporteri.net, e lëshuar nga Gjykata Themelore e kryeqytetit, mbanë datën 06 shkurt 2020.

    Ndryshe, biznesmeni që përveç që e kërcënoi, po del t’i bëhet problem edhe me tutje Reçices, kanosjen e këtij të fundit nuk e ka të vetmin rast në të cilin është i përfshirë, kanë raportuar mediat të enjten.

    Sipas portalit ‘Insajderi’, Valon Ademi, pronar i një biznesi ndërtimi rrugësh, pati bërë jehonë në publik me një kërcënim ndaj një zyrtari tjetër publik, para tri viteve e gjysmë. Për këtë, ai kishte kaluar 48 orë në ndalim policor për kanosje.

    Ngjarja kishte ndodhur më 20 korrik të vitit 2016 dhe ishte denoncuar nga Besim Tahiri, atëkohë zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

    Tahiri kishte pohuar se është kërcënuar nga Ademi për shkak të një tenderi të zgjerimit të rrugëve. Aty ishte shpallur fitues kompania “Al Trade”, dhe kishte dalë humbëse kompania “Alko Impex”, pronë e kërcënuesit Valon Ademi.

    As ky rast ende nuk ka epilog përfundimtar gjyqësor. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!