×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    Një ditë pasi i dolën bisedat ku e quante “vëlla” bashkëpuntorin e Radoiçiqit, Kurti i çon buqetë me lule Kusari-Lilës

    Reporteri
    16 Tetor 2024 | 16:19

    Vetëm një ditë pasi u publikuan bisedat Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, kreu i Qeverisë, Albin Kurti u përkujdes që t’i dërgonte një buqetë me lule shefes së grupit parlamentar të VV-së me rastin e ditëlindjes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Për këtë 49-vjetor të Kusari-Lilës, Kryeministri Kurti shkoi në Kuvend me një buqetë me lule, ani pse mungoi në seancën e jashtëzakonshme të opozitës, bashkë me deputetët e partisë që drejton.

    Vetë Kryeministri Kurti konfirmoi se buqeta me lule me të cilat sot ai dhe ekipa e tij u panë të hynë në Kuvendin e Kosovës, ishin për shefen e grupit parlamentar të VV-së.

    Në një prononcim të shkurtër për gazetarët kur u pyet nëse lulet ishin dedikim për Mimoza Kusari-Lilën, ai u përgjigj me ”Po” dhe ”Për ditëlindje”.

    Gjatë ditës së djeshme në media u publikuan disa biseda të shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusarit dhe Sllavko Simiqit, ish deputet i Listës Serbe, njëherit bashkëpunëtor i terroristit Milan Radoiçiq, ku Kusari e quante atë “brate” e që në shqip do të thotë vëlla.

    Në arsyetimin e saj, shefja e deputetëve të VV-së, tha, se ajo fjalë në gjuhën shqipe ka kuptimin e mikut dhe jo të vëllait, pasi siç tha ajo po të ishte në kuptimin e vëllait ajo fjalë, do të vazhdonte bashkëpunimi mes tyre.

    “Për të gjithë që e flasin gjuhën serbe ose malazeze e dinë kuptimin e fjalës ‘brate’ që nuk do të thotë fjalë e vëllait në veçanti, por fjalë e mikut. Në mënyrën se si përdoret si sinonim i bisedës së lirë, në kuptimin e tillë. Se sikur të ishte vëlla, sikur të ishte ai bashkëpunim ashtu siç po mundohet të aludohet, ai bashkëpunim do të vazhdonte. Gjuha është një komunikim me të cilën unë sot do ta kem një komunikim me cilindo deputet në përgjithësi, si nga pozita si nga opozita, pasi unë komunikoj lirshëm me të gjithë. Në gjuhën serbe dhe malazeze, në të dyja përdoret dhe kjo ka qenë në atë rrjedhë të diskursit të komunikimit”, tha ditën e djeshme Kusari-Lila në KTV.

    Madje në ato biseda, Kusari-Lila dhe Simiq merren vesh për caktimin e një takimi të tij me kryeministrin Kurti, ndërsa Kusari-Lila merr ftesë nga ai për vizitë te hoteli i Radoiçiqit në Kopaonik.

    Ajo gjithashtu tha se ka kërkuar edhe të bëhet superekspertizë lidhur me audio-incizimet e publikuara ditë më parë, e për të cilat ajo pati deklaruar se janë të montuara, të prera.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!