×
  • Lajme
  • Lajme

    Një familje në Podujevë e rrezikuar nga kabllot në shtyllat afër shtëpisë

    Reporteri
    18 Prill 2021 | 23:08

    E rrezikuar po ndihet familja Shala nga Podujeva nga kabllot e shumta që janë të vendosura në shtyllat përskaj shtëpisë së tyre në rrugën “Xhemajl Mustafa”.


    Anëtari i kësaj familjeje, Gëzim Shala, thotë se kur fryen era telat bashkohen dhe marrin flakë. Ankesat e shumta, sipas tij, deri tash nuk janë marrë parasysh nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS).

    “Telashja më e madhe është frika në rend të parë. Telashja e dytë është edhe për sy e padurueshme, me thënë shqip. Rrezikohemi prej tyre, nuk e di as sa janë funksionale e sa janë jofunksionale (kabllot), kryesorja gjendja shihet. Këtu i kam para shtëpisë, jemi të rrezikuar prej këtyre telave”, ka thënë Gëzim Shala.

    Ai thotë kanë kërkuar disa herë nga KEDS-i që të bëjë reduktimin e këtyre kabllove, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku. Por, përgjigjja, sipas tij, ka munguar.

    “Ka pas rrezik, kur fryen era bashkohen telat dhe shkaktohen flakë, trafon e kemi afër, mund të bëjë dëm edhe trafoja, ky është defekti më i madh”, ka shtuar ai.

    Por, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Podujevës, Fevzi Jetullahu, premton se ky problem do të evitohet shumë shpejt. Ai ka thënë se pasi t’ia japin lejen, KEDS-i do t’i zhvendosë kabllot e veta nën tokë.

    “Po ky është një problem i kahmotshëm, nuk është tash që është shfaqur ky problem. KEDS-i ka kërkuar leje për atë pjesë për shtrirjen e kabllove nëpër kanale tokësore, nëpërmjet gypave, të cilit vetëm kur t’i përgatitet leja tash ai do të fillojë me ekzekutimin e këtyre punimeve”, ka thënë Favzi Jetullahu-drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim

    Sipas tij, kështu është vepruar edhe në rrugën “Zahir Pajaziti” në pjesën e Bulevardit të Qytetit dhe tash së fundmi në rrugën “Skënderbeu”.

    Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KEDS-it , Viktor Buzhala.

    Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ai ka thënë se këtë vit do të vendosin rrjetin nëntokësor dhe do t’i eliminojë shtyllat komplet.

    Por, sipas tij, shumica e këtyre kabllove janë të kompanive të shpërndajnë internet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!