Në këtë kohë të pandemisë globale me coronavirus, një problem i madh po del të jetë prekja me këtë virus të stafit mjekësor. Edhe në Kosovë, dje është prekur me Covid 19 një infermiere që po punonte në Klinikën Infektive, ku po trajtohen të infektuarit.
Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se Klinika Infektive, dje ka regjistruar edhe personin e parë nga stafi shëndetësor i Klinikës Infektive, që ka rezultuar pozitiv në Covid-19.
Bëhet fjalë për një infermiere të Klinikës Infektive, e cila ka qenë në kontakt të afërt me pacientët e hospitalizuar në këtë klinikë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ndërsa, sipas raportit ditor të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në këtë klinikë sot janë duke u trajtuar gjithsej 34 pacientë me Covid-19.
Nga këta 34 pacientë, 26 prej tyre janë në gjendje stabile, ndërsa 8 nga ta raportohet të kenë nevojë për oksigjenoterapi.
Klinika Infektive thotë se shpreh mbështetjen për punëtoren e saj për ta përballuar infeksionin dhe thekson se profesioni i mjeku, e në veçanti i infektologut bart me vete edhe rrezikshmërinë e infektimit gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe, ndonjëherë, kjo nuk mund të evitohet përkundër respektimit maksimal te masave të mbrojtjes personale.
“Rasti i koleges tonë nuk do të na dekurajoj dhe demotivoj që së bashku me kolegët e tjerë të ofrojmë ndihmën mjekësore për pacientët tonë. Këtë do ta bëjmë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.