Unikkatil më 27 korrik 2019 përjetoi dështimin më të madh në karrierë. Mbase të vetmin në karrierën e reperit, Viktor Paloka!
Reperi nga Istogu që jeton në SHBA, që në vitin 2012 kishte mbledhur rreth 20 mijë adhurues të tij në stadiumin e Prishtinës. Shtatë vite pas, nuk arriti që në Mitrovicë të tubojë as një të teren e tyre.
Koncerti i Unikkatil në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbajt në praninë e vetëm rreth 2500 personave, sa erdhën ta dëgjojnë nga afër reperin që sikurse në disa prej këngëve të tij, edhe gjatë koncertit shpërndau mesazhe të ndryshme politike.
E pak ditë pas këtij dështimi në karrierën e tij të njohur për diss-a, Unikkatil që po vazhdon të qëndrojë në Kosovë, të hënën gjeti, të themi, një mbështetje.
Kryeministri në largim Ramush Haradinaj i hapi atij dyert e Kryeministrisë dhe e priti në një takim, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Pritja ‘e fshehtë’ e reperit nga ana e Kryeministrit ndodhi gjatë mesditës. E fshehtë, ngase Reporteri.net mëson se vetë Unikkatil ka kërkuar që të mos paralajmërohet për media takimi, sikurse edhe ka ndodhur. Njëjtë, ai ka dashur të ndodhë edhe pasi të takohen. Ndaj zyra e Kryeministrit nuk ka lëshuar, të paktën deri më tani, asnjë fotografi apo njoftim.
Megjithatë takimi është konfirmuar për Reporteri.net nga ana e zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Një nga organizatorët e koncertit në stadiumin e Mitrovicës, në një prononcim për një media, pasi Reporteri.net publikoi shifrat e pjesëmarrësve, ka pranuar se si organizues të kësaj mbrëmje kanë pritur që të kenë më shumë adhurues të reperit në koncert.
“Normalisht kemi pritur më shumë por mirë ka qenë”, kishte thënë nder të tjera, për indekonline, një nga anëtaret e ‘KaffazProject’. /Reporteri.net/.