×
  • Lajme
  • Lajme

    Një mësimdhënës në Prizren ushtron kallëzim penal ndaj Haskukës për ushtrues detyre në pesë shkolla

    Reporteri
    28 Tetor 2019 | 22:23

    Pesë shkolla në Prizren ka një vit që po udhëhiqen me ushtrues detyre të drejtorëve.


    Dy konkurse u anuluan nga Komuna e Prizrenit, e njëri nga kandidatët për drejtor në shkollën e Mjekësisë “Luciano Motroni” i cili edhe ishte përzgjedhur fitues, Sabri Micaj, pretendon se konkurset u anuluan jashtëligjshëm, raporton KTV.

    Micaj thotë se duke u bazuar në ligjin parauniversitar dhe atë për shërbyes civilë ka ushtruar kallëzim penal ndaj kryetarit Mytaher Haskuka në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

    Në Komunën e Prizrenit nuk kanë pranuar të japin sqarime para kamerës, por në një përgjigje me shkrim, kanë mohuar pretendimet e Bicajt.

    Arsyeja kryesore e mos-hapjes së konkursit për drejtorë të këtyre shkollave sipas Komunës, është shfuqizimi i ligjit për Shërbyes Civilë, i cili përcaktonte kohëzgjatjen e një ushtruesi detyre deri në tre muaj dhe hyrja në fuqi e ligjit të ri për Zyrtarë Publikë.

    “Komuna e Prizrenit është pritje të përpilimit dhe publikimit të akteve nënligjore të domosdoshme nga ministritë përkatëse, në mënyrë që më pas të zhvillohen edhe procedurat rekrutuese e të gjithë pozitave të lira për drejtorë të shkollave në Komunën e Prizrenit”, thuhet në përgjigje.

    Sipas Komunës së Prizrenit, konkursi u anulua pas rekomandimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës dhe për shkak të mospërmbushjes së numrit të mjaftueshëm të kandidatëve të kualifikuar.

    Ndërkohë, Prokuroria në Prizren ka konfirmuar të ketë pranuar kallëzimin penal ndaj Haskukës të premten e kaluar dhe se i njëjti do të trajtohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!