Për herë të 16-të nuk ka arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, saktësisht një muaj më parë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ngërçi nisi qysh në seancën e parë kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikim të mandateve, por raporti nuk kaloi pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë. Ky raport nuk kaloi as në seancën e dytë, duke kaluar tek në seancën e tretë kur deputetët edhe bënë betimin dhe Albulena Haxhiu u propozua nga VV për kryeparlamentare.
Ajo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare, as në këtë seancë dhe as në pesë tjerat që pasuan, e ku u propozua sërish nga partia e parë.
Një ngërç tjetër nisi në seancën pasuese, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim është bërë disa herë, deri në seancën e sotme – e gjashtëmbëdhjeta me radhë.
Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Ndërkohë, po sot Presidentja Vjosa Osmani do të tentojë të gjejë një zgjidhje me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Nga sot, ajo do të fillojë një seri konsultimesh me liderët e partive politike.
Në takimin e ftuar nga Osmani pritet të marrin pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), shkruan gazeta online Reporteri.net.
Po ashtu, Presidentja do të zhvillojë një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/