Gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre personave, të cilët dyshohen se janë pjesëtarë të bandës së Demë Elshanit, për të cilët dyshohet se po planifikonin një vrasje në Pejë.
Masa e paraburgimit është caktuar për Qëndrim Elshanin, Mentor Dreshajn dhe Leon Dizdarin, të cilët u arrestuan nën dyshimin se planifikonin vrasjen e Sh. H..
Lidhur me këtë avokatja e Qwndrim Elshanit, Ylberza Gllogjani-Krasniqi ka deklaruar për TV Dukagjinin se ky është një vendim pa prova.
“Të mbrojturit tim ju caktu paraburgimi në kohëzgjatje prej 1 muaji, edhe përkundër asaj se familja ishin të gatshëm të ofronin dorzani, shtëpi, gjithçka çka kishin dhe çdo shumë që do e caktonte gjykata. Radojqiqit po!”, tha ajo.
Gjykata, të arrestuarve u ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaj nën arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në prova dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Gazeta online Reporteri.net, ka raportuar të enjten për arrestimin e katër personave në Prishtinë e Pejë, nën dyshimin se po planifikonin një vrasje në Kosovë, qysh vitin e shkuar. Të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që udhëhiqet nga Demë Elshani, një i arratisur tash e 22 vite nga Kosova.
Sipas njoftimit të policisë, grupi kriminal i cili u shkatërrua u kap në flagrancë duke pranuar armën për kryerjen e një vrasje në Pejë. I arrestuari i katërt në këtë rast, u lirua në procedurë të rregullt.
Qëndrim Elshani është nipi i Demë Elshanit, i cili po konsiderohet si kreu i grupit kriminal, arrestimi i anëtarëve të të cilit u njoftua sot, dhe që kërkohet nga autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare qysh nga viti 2003 për një serë vrasjesh e tentim-vrasjesh në Pejë.
“Pejë, Prishtinë 2024/2025 , NN- Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuari janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarave në katër lokacione të ndryshme ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftimin e Policisë.
Demë Elshani nga Ozdrimi i Pejës, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale, u rikthye në vëmendje pak ditë më parë pasi u përfol për porositjen e një sulmi me granatë dorë ndaj pronës së familjes Dezdari në Pejë.
Akuzat publike për këtë rast bënë që i shumëkërkuari nga autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare të paraqitet për herë të parë pas 22 vitesh në një deklaratë publike audio të dhënë për gazetën online Reporteri.net.