×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim për kushërinjtë që vranë brutalisht 59 vjeçarin në Viti

    Reporteri
    04 Maj 2019 | 11:22

    Dy ditë më parë në një fshat të Vitisë ka ndodhur një vrasje e rëndë.


    Siç është raportuar, vrasja ka ndodhur për arsye pronësore ndërsa viktima ka vdekur pas plagëve që ka marrë duke u goditur me vegla pune.

    Në lidhje me këtë rast, Gjykata Themelore e Gjilanit pas kërkesës së Prokurorisë ka caktuar masën e paraburgimit gjashtë të dyshuarve për rastin.

    “Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. I., B. I., S. I., I. I., I. I., dhe E. I.

    Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 02.05.2019, rreth orës 09:30 minuta në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë, të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I. dhe I. I., pas një mosmarrëveshje të një kontesti pronësor, me dashje në bashkëveprim kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M. I., duke e goditur në mënyrë mizore me mjete të forta – vegla pune, i kanë shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, njëherit kanë rrezikuar edhe jetën e bashkëshortes së të ndjerit K. I. dhe të pandehurit E. I”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Më tutje, të pandehurit dyshohen për vepra penale, vrasje e rëndë dhe lëndim i rëndë trupor.

    “Me këto veprime të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I., dhe I. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’vrasje e rëndë”, ndërsa i pandehuri E. I., veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.”, thuhet në fund në njoftimin e Gjykatës. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!