Nga grabitja me maska dhe e armatosur te “Albi Mall” në Veterrnik, ku cak ishte një furgon që po transportonte para, mbeti i plagosur shoferi i automjetit, një 42-vjeçar nga Vushtrria.
Por, nga ky rast dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një nga të dyshuarit për grabitjen.
Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, i dyshuari është i nacionalitetit serb, dhe ka kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në Graçanicë, dhe nga aty është dërguar drejt QKUK-së në Prishtinë, për shkak te gjendjes së rënduar.
Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore ka folur shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Syla për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se gjendja aktualisht po operohet dhe gjendja është e rëndë.
“Po gjendja e tij është e rëndë, është në sallë të operimit”, tha shkurtimisht Syla për Reporteri.net. Drejtori i Emergjencës, gjatë ditës kishte konfirmuar për Reporteri.net se edhe shoferi i plagosur i furgonit që po transportonte para po i nënshtrohej operacionit.
Siç raportoi Gazeta Online Reporteri.net, shoferi ishte plagosur në shpinë me dy plumba.
Lidhur me rasin u deklaruan edhe nga Policia e Kosovës, ku konfirmuan se gjithçka ka nisur rreth orës 10:30 dhe se po punojnë për zbardhjen e rastit.
“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjestarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e policisë. /Reporteri.net/.