Lidhur me shpërthimin në spitalin e Pejës, në njoftimin e bërë nga vetë spitali thuhet se fillimisht kanë dyshuar për ndonjë defekt, por më pas nga pamjet e kamerave kanë vënë re se një gjë e tillë është shkaktuar qëllimshëm nga një person i maskuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas njoftimit, një person i maskuar në orët e para të së mërkurës ka hyrë me forcë në dhomën ku janë pajisjet e Teknologjisë Informative dhe i ka vënë flakën kësaj dhome.
Ky sulm ka shkaktuar dëme materiale.
“Qysh në orët e para pas sulmit, pas verifikimit të incizimeve në kamerat e sigurisë, e kemi kuptuar që ishte një sulm kriminal, i qëllimshëm ndaj institucionit tonë shtetëror, por pas konsultimeve me hetuesinë, nuk e kemi publikuar menjëherë këtë informacion për të mos penguar hetimet, pasi kemi qenë të sinkronizuar në tërësi me organet e rendit”.
“Në mengjesin e hershem të mërkures, rreth orës 02:20 pas mesnate, një person, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ka hyrë me forcë në dhomën ku janë pajisjet e Teknologjisë Informative dhe i ka vënë flakën kësaj dhome. Ky akt i paprecedent ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka tronditur thellë stafin dhe pacientët tanë. Megjithatë, për fat të mirë, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur humbje jetësh apo humbje të dhënash. Ky sulm na ka goditur në zemër të veprimtarisë sonë dhe na ka bërë të ndiejmë pasigurinë që kjo situatë e krijuar nga aktet kriminale ka sjellë”, thuhet në reagim.
Tutje spitali i Pejës ka bërë të ditur se aty është ndodhur edhe arkiva e spitalit që nga themelimi i tij.
“Në ambientet ku ka ndodhur sulmi gjendet edhe arkiva e spitalit me plot dokumente që nga themelimi i spitalit, dhe në këtë bllok të spitalit janë të përqendruar shumica e shtretërve të spitalit. Jemi me fat që zjarri është lokalizuar shpejt, sepse përndryshe do të kishim tragjedi, ngase sulmuesi rrezikoj jetën e qindra pacientëve dhe personelit tonë”.
Për këtë zjarr ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, por që nuk kanë raportuar për të arrestuar./Reporteri.net/